Tatimet nisin kompensimet nga DIVA edhe për individët pa zbritje shpenzimesh për fëmijët
Administrata Tatimore ka nisur kompensimet për individët që kanë rezultuar me tatim të mbipaguar nga plotësimi i DIVA 2025, edhe në rastet kur nuk kanë përfituar zbritje shpenzimesh për fëmijët.

Në muajin mars, pas plotësimit të Deklaratës Individuale të të Ardhurave Vjetore (DIVA 2025), Ema, punonjëse në media, rezultoi me tatim të mbipaguar në vlerën 3,172 lekë.
Gjatë procesit të deklarimit, përveç kategorive që përfituan zbritje për fëmijët në ngarkim apo për shpenzimet arsimore, me tatim të mbipaguar rezultuan edhe individë pa fëmijë në ngarkim. Kjo ndodhi pasi sistemi rillogariti tatimin mbi të ardhurat vjetore dhe në shumë raste rezultoi se tatimi i mbajtur çdo muaj nga paga kishte qenë më i lartë se detyrimi real vjetor.
Në rastet kur diferenca rezultonte pozitive, individët fitonin të drejtën të kërkonin kompensim të shumës së tepërt përmes sistemit e-Filing.
Ka nisur kalimi i shumave në llogaritë bankare
Pas aplikimit për kompensim në sistemin elektronik, Ema konfirmoi për Monitor se shuma prej 3,172 lekësh i është kaluar në llogarinë bankare.
Administrata Tatimore ka nisur tashmë shpërndarjen e kompensimeve edhe për kategorinë e individëve që nuk kanë fëmijë në ngarkim, por që rezultojnë me tepricë kreditore pas plotësimit të DIVA 2025.
Për këtë kategori, dokumentacioni i kërkuar është minimal. Krahas kërkesës për kompensim në sistemin e-Filing, individi duhet të ngarkojë vetëm numrin IBAN të llogarisë bankare në format PDF.
E drejta për kompensim nuk humbet për 5 vite
Administrata Tatimore ka sqaruar se e drejta për të kërkuar kompensim nuk humbet për një periudhë 5-vjeçare. Kjo do të thotë se edhe nëse individi nuk aplikon menjëherë, shuma mbetet si tepricë në llogarinë tatimore personale.
“Nuk ka një afat të posaçëm ligjor për paraqitjen e kërkesës për rimbursim. E drejta e individëve për kompensim apo rimbursim nuk humbet për 5 vite. Nëse nuk kërkohet këtë vit, shuma mbetet si tepricë për individët deri në 5 vite”, ka sqaruar më herët për Monitor Rozana Çelmeta, drejtore e procesit të biznesit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
Sipas saj, nëse individi dëshiron që shuma të kalojë në llogarinë bankare, duhet të paraqesë kërkesën dhe dokumentacionin përkatës. Në të kundërt, teprica mbetet aktive në sistem.
Afati i shqyrtimit të kërkesave nga administrata tatimore është deri në 2 muaj.
Mbi 164 mijë deklarata dhe 1.4 miliardë lekë për rimbursim
Afati për dorëzimin e DIVA 2025 përfundoi më 31 mars 2026. Sipas të dhënave zyrtare, u plotësuan gjithsej 164,263 deklarata individuale të të ardhurave, rreth 25 për qind më shumë krahasuar me vitin e kaluar.
Rreth 77 mijë individë pritet të përfitojnë kompensim për fëmijët nën moshën 18 vjeç, ndërsa sistemi ka gjeneruar një fond total prej 1.4 miliardë lekësh për rimbursime ndaj individëve me tepricë kreditore.
Deri tani, sipas të dhënave, janë kërkuar për transferim në llogaritë bankare rreth 670 milionë lekë.
Dokumentet që duhen për aplikim
Për të gjitha kategoritë, aplikimi bëhet përmes sistemit e-Filing, duke plotësuar të dhënat bankare dhe kërkesën standarde për kompensim.
Individët me fëmijë në ngarkim duhet të ngarkojnë certifikatën familjare dhe dokumentin me numrin IBAN. Ata që përfitojnë zbritje për shpenzimet arsimore duhet të paraqesin edhe faturat e fiskalizuara përkatëse.
Ndërsa individët pa fëmijë, por me tatim të mbipaguar, duhet të ngarkojnë vetëm dokumentin me IBAN-in bankar së bashku me kërkesën për rimbursim.
Administrata Tatimore ka publikuar gjithashtu një udhëzues për deklarimin korrekt të të dhënave bankare, me qëllim shmangien e vonesave në procesin e kompensimit.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)